Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit A.A., i cili në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari A.A., në kohë të papërcaktuar, deri më 01 dhjetor 2019, në shtëpinë familjare, në Viti, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë në familje, tek bashkëshortja dhe dy djemtë e tij, në atë mënyrë që i ka kanosur me fjalë, i ka keqtrajtuar herë pas here duke i rrahur, me ç’rast me veprimet e tij përpos që ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarve, ka shkaktuar dhembje, frikë dhe shqetësim të madh emocional tek të njëjtit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas njoftimit me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna në familje’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Ndërsa, më 01 dhjetor 2019, rreth orës 17:15 minuta, i dyshuari A.A, me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor, ka lënduar bashkëshorten e tij, të dëmtuarën V.A., ashtu që pas një mosmarrëveshje verbale, për motive xhelozie, në prani të fëmijëve, ia merr telefonin nga dora dhe me të e godet në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë, ku pastaj nuk e lejon djalin e tyre që ta dërgojë për tretman mjekësor, por e dërgon vetë, ku gjatë rrugës e kërcënon që të gënjejë se kinse ishte vetëlënduar, për çka edhe e dëmtuara detyrohet të gënjejë se kinse është lënduar në mobile. Në këtë mënyrë, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor'”, të KPRK-së”, thekson tutje prokuroria në njoftim./Telegrafi/