Site icon Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit nga Rahoveci i cili tentoi t’i vriste me sëpatë dy persona

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit H.O., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Prokuroria njofton se, më 10 shtator 2022, në Rahovec, i pandehuri H.O., me dashje ka tentuar të privojë nga jeta dy persona, të dëmtuarit N.O. dhe Z.O.

“Derisa i dëmtuari N.O., ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, i pandehuri fillimisht e sulmon atë duke e gjuajtur me gurë, më pas merr sëpatën shkon në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarve, ku fillimisht dëmton automjetin e tyre, e pastaj, me sëpatë i sulmon të dy të dëmtuarit njërin pas tjetrit, duke i goditur në kokë, derisa ndërhynë vajza e të dëmtuarve e cila arrin që të pandehurit të ia largon sëpatën. Si pasojë e lëndimeve i dëmtuari Z.O., rrëzohet në tokë, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Vrasje në tentativë në Rahovec, lëndohen dy persona

Të dëmtuarit janë dërguar për trajtim në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Gjithashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri H.O., me dashje dëmton apo bënë të pa përdorshme pasurin e të dëmtuarit N.O., ku në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit me sëpatën që ka pasur në duart e tij, godet dhe dëmton automjetin e të dëmtuarit duke i shkaktuar dëme materiale.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit H.O., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. /Telegrafi/

Exit mobile version