Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurit M.D.., nga Ferizaj sepse ekziston dyshimi i bazuar se të martën (02.04.2019) në objektin e Gjykatës Themelore Ferizaj, i pandehuri me qëllim frikësimi, ka kanosur seriozisht Prokurorin e shtetit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Rasti ndodhi gjatë kohës kur prokurori ishte duke e kryer punën e tij zyrtare, në të cilin rast ishte përfaqësues i akuzës, ndërsa, tani i pandehuri M.D., ishte në cilësinë e dëshmitarit.
Prokuroria në Ferizaj njofton se ndaj të dyshuarit ka marrë aktvendim për fillim të fazës së hetimeve.
Gjithashtu, kjo prokurori dënon ashpër veprime të tilla të ndërmarra kundër Prokurorit të Shtetit dhe mbetet e përkushtuar për luftimin e kriminalitetit, ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies dhe se asnjëherë nuk do të zbrapset nga kërcënime të tilla të çfardo lloj forme qofshin ato.