Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve që në kufi me Serbinë u kapën me 182 kg marihuanë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, të cilët u arrestuan të martën mbrëma në zonën kufitare me Serbinë pasi u kapën me 182 kg marihuanë.

Sipas njoftimit, të pandehurit Y.H. dhe D.H dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Y.H. dhe D.H, më 24 Tetor 2023, rreth orës 21:35 minuta, në brezin kufitar afër fshatit Kokaj komuna e Gjilanit, në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer veprën e sipërshënuar penale, në atë mënyrë që nga policia task-forca kufitare, tek të njëjtit është gjetur substancë narkotike, e dyshuar e llojit marihuanë, me peshë prej 182.715 kg, e cila është sekuestruar”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, policia ka njoftuar se vlera e kësaj substance narkotike në treg dyshohet të jetë rreth 400 mijë euro.

Po ashtu u bë e ditur se si prova materiale relevante janë sekuestruar një veturë dhe një kombi me targa vendore, të cilat janë përdorur në rast si dhe dy telefona celularë. /Telegrafi/