Telegrafi

Kërkohet paraburgim ndaj babait që dyshohet për sulm seksual ndaj dy vajzave të tij në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit F.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale  “Dhunimi në vazhdimësi”, dhe “Sulm seksual”.

Prokuroria njofton se në muajin shtator 2020 dhe korrik 2021, në dy raste të ndara, i pandehuri F.K., e detyron të kryejë akt seksual vajzat e tij, të dëmtuarën e mitur, E.K dhe A.K.

“Me këto veprime ka kryer veprën penale ”Dhunimi në vazhdimësi”, nga neni 227 paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4, nën paragrafin 4.9, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së”.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.K.,  ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri,  me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 07 shkurt 2022./Telegrafi/