Bjord Sherifi, gjashtë muajsh nga Gjilani vuan nga një sëmundje e cila ndodh në çdo 1 nga 10 foshnje të porsalindura, e cila sëmundje në mjekësi njihet si “D-TGA”.
Nëna e Bjordit, Lisiana Poroshtica Sherifi, përmes rrjetit social në Facebook ka kërkuar ndihmë financiar nga qytetarët për ta dërguar të voglin e saj jashtë vendit për trajtim mjekësor.
Ajo thotë se Bjordi ka pasur disa intervenime edhe në Turqi, i cili aktualisht gjendet i shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Pediatrisë.
Nëna e Bjordit, po ashtu ka shkruar edhe xhirollogarinë bankare, e cila është: Swift code: TEBKXKPR, IBAN: XK05 20-17-0001883659-80. Ndërsa, për çdo kontakt ose pyetje mund t’i drejtoheni babait të Bjordit, Liridon Sherifi 044/412-895.
Ndërkaq, Telegrafi po ashtu ka kontaktuar edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, të cilët kanë thënë se aplikimi i këtij rasti është bërë më datë 24.11.2020 për trajtim shëndetësor të Bjord Sherifit, i cili është referuar si rast urgjent nga ana e Klinikës së Neonatologjisë.
Mirëpo sipas tyre, më datë 25.11.2020 institucioni ka lëshuar fletëzotim/garancion me ç’rast pacienti ka mundur të fillojë trajtimin e menjëhershëm shëndetësor në institucionin të cilin e kanë përzgjedhur familjaret e tij.
“Ju njoftojmë se aplikimi është bërë me date 24.11.2020 për trajtim shëndetësor të pacientit Bjord Sherifi, referuar si rast urgjent nga ana e Klinikes së Neonatologjisë. Me datë 25.11.2020 institucioni ynë, bazuar në UA 03/2017 për TMJIShP ka lëshuar fletëzotim/garancion me ç’rast pacienti ka mundur të fillojë trajtimin e menjëhershëm shëndetësor në institucionin të cilin e kanë përzgjedhur familjaret/përfaqësuesit e tij.”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas tyre, të gjitha procedurat e vendimmarrjes sa i përket aprovimit të shumës financiare janë në përgjegjësi të Bordit Ekzekutiv.
Ata thanë se shuma financiare do te aprovohet në momentin kur pala/pacienti do ta sjellë raportin mjekësor apo flete lëshimin me epikrizë si dhe raportin financiar përfundimtar nga institucioni i cili ka ofruar shërbimin e nevojshëm shëndetësor.
“Të gjitha procedurat e vendimmarrjes sa i përket aprovimit të shumës financiare janë në përgjegjësi të Bordit Ekzekutiv për TMJIShP dhe bazuar në UA 03/2017. Shuma financiare do te aprovohet ne momentin kur pala/pacienti sjelle raportin mjekësor apo flete lëshimin me epikrizë si dhe raportin financiar përfundimtar nga institucioni i cili ka ofruar shërbimin e nevojshëm shëndetësor”, thanë ndër të tjera nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për Telegrafin.
Lexoni postimin e plotë të nënës së Bjordit të vogël:
Bjordi im nuk qau , nuk ia dëgjova zërin as nuk ia pashë sytë .
Bjordi im nuk ishte në gjendje të frymonte i vetëm , mushkëritë e tij ishin të dobëta ndërsa zemra e tij kishte probleme që ndodhin në 1 nga 10 mijë bebe te porsalindura , problem i cili në kardiologji njihet si ” D-TGA “.
Pash trishtimin në sytë e mjekëve dhe motrave , mes trishtimit te tyre e kuptova qe djali im nuk është mire me shëndet .
Intervenuam me shpejtësi për t’i dhënë ndihmën që i nevojitej.
Nuk dija as të gëzohem as te mërzitem.
Me ndihmën e familjes dhe shtetit Kosovës e nisa djalin në Turqi ku pati dy operime në zemër.
-Në rastin e parë bëhej fjalë për zhvendosjen e dy arterieve kryesore të zemrës në një operacion ky zemra e tij ishte e ndalur për 4 orë të plota ndërsa i gjithë operacioni zgjati 13 orë.
-Në rastin e dytë bëhej fjalë për vendosjen e një ‘baterie’ apo siç njihet në mjekësi pacemaker si suport për zemrën që nuk arrinte të përshtatej me ritmin e saj. Kjo ndodhi 1 muaj pas operacionit të parë.
Mbas 3 muajsh mjekim në Turqi erdhëm në Kosovë, por Bjordi im filloj përsëri mos të ndjehet mirë .
Tani gjendemi në spitalin e Prishtinës ( intensive pediatri ).
Pos mëshirës së Zotit dhe mjekëve që po mundohen ta mbajnë në jete nuk kemi asgjë tjetër përpara .
Gjendja e djalit tim u keqësua ditën e shtune 20.03.2021 .
Zemra tij u dobësua përsëri kurse kësaj radhe problemi kryesor është infeksion i thellë në gjak që i ka prekur shumicën e organeve , gjithashtu Bjordi është u intubuar shkaku i mushkërive të dobëta si dhe i futur në gjendje kome nga mjekët.
Sot po ju drejtohem juve si një nanë me zemrën e thyer, nga dhimbja e mërzia që më ka kapluar shpirtin.
Më ndihmoni për hirë të madhit Allah ta shpëtojmë djalin tim.
Më nevojitet ndihme monetare vlera e të cilës është shumë e lartë por nuk e dimë ende saktësisht dhe është diçka e papërballueshme për mua dhe familjen time.
Më ndihmoni që t’ia japim një fije shpresë jetë Bjordit në momentin që gjendja e tij është stabile për transfer jashtë shtetit. Ju lutem shumë. Na ndihmoni. Për çdo transferë bankar: Emri i mbajtësit i llogarisë: Liridon Sherifi / Sëift code: TEBKXKPR, IBAN: XK05 20-17-0001883659-80
Për çdo kontakt ose pyetje: Bashkëshorti im Liridon Sherifi 044/412-895