Telegrafi

Kërkohet mobilizim për eliminimin e deponive ilegale

Bordi i Drejtorëve i komunës së Mitrovicës, ka shqyrtuar të hënën menaxhimin e mbeturinave në qytet, problem ky që përkundër përpjekjeve të vazhdueshme vazhdon të jetë akoma prezent në Mitrovicë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se kjo është përgjegjësi e kompanisë për menaxhim të mbeturinave “Uniteti”. “Më herët u takova me drejtuesin e kësaj kompanie dhe kërkova nga ai që të bëjë marrëveshje me kompanitë që po krijojnë mbeturina nëpër qytet, sepse kjo është përgjegjësi e tyre. Po ashtu, kërkova nga kompania që të caktoj njerëzit për çdo ditë se në cilin lokacion ata do të merren me mbledhjen e mbeturinave, si dhe përcaktimin e orareve kur ato duhet të mblidhen, në mënyrë që qyteti të jetë i pastër”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka kërkuar edhe përfshirjen e inspektorëve komunal, në mënyrë që të ketë rezultate konkrete në menaxhimin e mbeturinave, përkatësisht eliminimin e deponive ilegale.

Drejtori i Drejtorisë së Ambientit, Enver Uka, tha se problemi qëndron në faktin se nuk ka ndonjë marrëveshje me kompanitë e mëdha, gjegjësisht bizneset që krijojnë mbeturina, duke vlerësuar se është e nevojshme një gjë e tillë.

Ndërkaq, kryeinspektori Naim Hajra, tha se kjo drejtori është e gatshme për të ndihmuar në këtë drejtim dhe se do t’i angazhoj inspektorët që të dalin në terren për të përmirësuar gjendjen.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Nasuf Aliu, ka propozuar themelimin e një ekipi, që do të përbehej nga përfaqësues të kompanisë për menaxhim të mbeturinave, inspektoratit të Komunës dhe policisë, të cilët do të monitoronin eliminimin e deponive ilegale, si dhe pajisjen e bizneseve me kontejnerë në mënyrë që ato mos të kenë asnjë arsye për hedhjen e mbeturinave vend e pa vend.

Kryetari Bahtiri është interesuar edhe për ecurinë e disa projekteve të tjera, duke kërkuar punë dhe përgjegjësi nga drejtorët e Komunës. /Telegrafi/