Drejtuesit e Klubit të Boksit “Prizreni” kanë kërkuar nga organet komunale që të ofrojnë mbështetje financiare për fazën përgatitore të boksierit Armend Xhoxhaj, i cili pritet që ta përfaqësojë Kosovën sivjet në Lojërat Olimpike në Rio de Jainero.
Sipas tyre, kërkohen tre mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të stërvitjeve dhe sparingut për Xhoxhajn, i cili vlerësohet si sportist i dalluar, shkruan sot Koha Ditore.
“Këtë vit kemi ftesë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që edhe boksi i Kosovës të jetë pjesë e Lojërave Olimpike Rio 2016, që do të mbahen në muajin gusht, dhe pjesëmarrës në këto lojëra do të jetë edhe boksieri nga Prizreni, Armend Xhoxhaj. Si klub i kemi parashtruar kërkesën Komunës së Prizrenit që të na sigurojë mjetet financiare për përgatitjen e Armend Xhoxhajt për Lojërat Olimpike, duke na i mbuluar disa shpenzime të stërvitjeve dhe sparingut për të, në shumë prej tre mijë eurove”, ka thënë Ruzhdi Rexha, kryetar i klubit.
Ai ka theksuar se afati kohor është i shkurtër, meqë koha e përgatitjeve është afër.
“Ne shpresojmë që mjetet do të na lejohen në një afat kohor sa më të shpejtë, sepse prej fundit të qershorit boksieri Armend Xhoxhaj do të stërvitet në kampet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Po ashtu shpresojmë që Komuna e Prizrenit, do të dijë dhe do të ketë vullnet që ta shfrytëzojë këtë moment historik për boksin e Kosovës, e veçanërisht për boksin e një prizrenasi”, ka deklaruar Rexha.