Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të UÇk-së, ndërsa me moton “Drejtësi për çlirimtarët”, është kërkuar nga autoritetet që ta rishqyrtojnë vendimin e Gjykatës Supreme, pasi, siç thanë ata, nuk ka pasur prova që vërtetojnë fajësinë e të dënuarve.
Kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Visar Zogaj, vuri në pah se provat që vërtetonin pafajësinë, janë humbur qëllimisht nga UNMIK-u.
Fillimisht, për vrasjen e Hamzë Hajrës, gruas dhe tre fëmijëve të tij qenë dënuar 11 persona, por pas vendimeve të tjera të shkallëve të ndryshme të apelit, dënimin po e vuajnë Burim dhe Arsim Ramadani, Arben, Jeton dhe Blerim Kiçina.
Vendimi i shtatorit të vitit të kaluar, me të cilin iu konfirmua dënimi Burim e Arsim Ramadanit, Arben dhe Blerim Kiçinës nuk mund më të apelohet. Tani ka mbetur instrumenti i fundit ligjor – mbrojtja e ligjshmërisë së vendimit, respektivisht vërtetimi, nëse gjatë këtij procesi ka pasur shkelje të ligjit dhe procedurave, para se rasti, siç thanë organizatorët e protestës, t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Gjykatës së Strasburgut.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili ka qenë anëtar i panelit në shtatorin e vitit të kaluar, sinjalizoi se rasti do të rishqyrtohet. Hasani, edhe pse ka qenë anëtar i panelit, mban një qëndrim asnjanës në lidhje me të ashtuquajturin rastin Kiçina.
Këshilli Organizativ i Protestës kërkon lirimin e Burim dhe Arsim Ramadanit, Arben dhe Jeton Kiçinës, por jo edhe të Blerim Kiçinës, i cili është i dënuar për të njëjtin rast. Ky këshill thotë se Blerim Kiçina ka qenë ai që ka dhënë deklaratë të rrejshme, mbi bazën e së cilës është ndërtuar aktakuza, ndërsa më pas e ka tërhequr deklaratën, duke thënë se ka gënjyer. Ai është i dënuar me 10 vjet burg. /rel/telegrafi/