Tetova dhe rrethina nuk helmohen vetëm nga kombinati Jugohrom, por edhe nga deponia e egër. Organizatat jo qeveritare dhe banorët e lagjeve që jetojë përreth kësaj deponie me ngulm kërkojnë largimin e të njëjtës dhe zgjidhjen e këtij problemi një herë e përgjithmonë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Arianit Xhaferi nga Eko Guerila thotë se deponi e egër Tetovë ndikon në përhapjen e shumë sëmundjeve.
“Deponia është një kancer i qytetit dhe është një dështim i madh i autoriteteve komunale aktuale të cilët premtuan se do të zgjidhet në mënyrë të shpejtë dhe efikase”, tha për Alsat-M, Arianit Xhaferi.
Nga ndërmarrja publike komunale vazhdojnë të japin premtime se deponia do të pastrohet shumë shpejtë.
“Ne kemi shtuar intensitetin e bartjes për në Gostivar dhe Shkup. Besoj se së shpejti ky problem do të marr fund por duhet të kuptuar se ndikojnë edhe procedurat që duhet të ndiqen në aspektet juridike”, u shpreh Nazif Jashari-NPK-Tetova.
Qyteti i Tetovës vazhdon të mbetet një ndër më të ndoturit në Maqedoni, por edhe në Evropë. Ndërkohë që pastrimi i saj është pjesë e çdo programi parazgjedhor të partisë shqiptare në pushtet./Telegrafi/