Site icon Telegrafi

“Kërkohet kloun plak” sonte në Qendrën Teatrore për Fëmijë

Shfaqja “Kërkohet kloun plak” e Matei Visniek, e cila vjen si realizim i bashkëpunimit të tre produksioneve Teatrit të një aktori – Shkup, Teatrit të Qytetit – Gjilan dhe “Butrinti 2000″, do të shfaqet sonte në Qendrën Teatrore për Fëmijë në Çarshinë e Vjetër, me fillim në orën 20, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Komedia “Kërkohet kloun plak”, në të cilën luajnë aktorët: Sabedin Shahiqi (KS), Bajrush Mjaku (MK), Alfred Bualoti (AL) dhe Beqir Nuredini (MK), flet për tre klounë, kolegë të afërt, të cilët pas një kohe të gjatë takohen përsëri, por duke u paraqitur si konkurrentë ndaj njëri – tjetrit, të cilët në vend të bashkëpunojnë, përpiqen t’i bëjnë lajka dhe dredhi njëri-tjetrit për të siguruar punë për veten e tyre.

Shfaqja është bashkëkohore dhe aktuale duke u referuar në shumë ngjarje aktuale që kanë të bëjnë me situatën në të cilën shoqëria jonë gjendet, si dhe ka lidhshmëri të përgjithshme me mentalitetin tonë shqiptar dhe ballkanik. Me vetë faktin që aktorët që janë të angazhuar në këtë shfaqje vijnë nga thuajse gjitha trojet shqiptare, apo nga tre shtete të ndryshme (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni), shfaqja fiton edhe një dimension tjetër, atë nacional.

Realizimi i përbashkët i produksioneve të lartëpërmendura njëkohësisht paraqet edhe një orvatje për ta realizuar qëllimin e Bajrush Mjakut për ta unifikuar kulturën teatrore me idenë për t’u paraqitur si një kulturë dhe identitet teatror. “Me mos realizimin e një projekti të tillë unifikues, deri tani teatrot e ndryshme shqiptare janë prezantuar si pjesë të kulturave të ndryshme duke garuar mes vete nëpër skenat e teatrove dhe festivaleve ndërkombëtare e botërore”, thuhet në kumtesën e QTF.

Shfaqja është kamertale dhe bazohet kryesisht në lojën e aktorëve, pa u ngarkuar me efekte auditive dhe vizuale. Kështu, shfaqja paraqet një përpjekje për ta liruar teatrin nga të gjitha elementet dhe efektet skenike deskriptive.

Skenografinë dhe kostumet për shfaqjen i ka bërë Enes Deari, ndërsa hyrja është falas. /Telegrafi/

Exit mobile version