Telegrafi

Kërkohet hetimi i procesit të autorizimit të “Ex Fis Labs” nga MTI-ja

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë e ka autorizuar laboratorin “Ex Fis Labs” për kontrollin e cilësisë së naftës, i cili ka qenë në pronësi të kompanisë që merret me tregtimin e derivateve të naftës, “Ex Fis”, shkruan sot Koha Ditore.

Autorizimi i këtij laboratori është bërë në ditët e fundit të mandatit të ministrit të Tregtisë dhe të Industrisë, Ismet Mulaj. Të njëjtit laborator i ishte refuzuar autorizimi për shkak të konfliktit të interesit, që ishte konstatuar nga komisioni vlerësues. “Ex Fis Labs” në kohën kur i ishte refuzuar autorizimi kishte qenë në pronësi të kompanisë “Ex Fis”, që merret me tregtimin e derivateve të naftës, shkruan Koha Ditore.

Drejtori i kompanisë “Ex Fis Labs”, Valdet Teneqja, thotë se autorizimin e kanë marrë së fundmi, pas disa refuzimeve që i ishin bërë nga MTI-ja. Ai thotë se pas refuzimit të autorizimit që kishte ndodhur në muajin gusht, kësaj kompanie i është ndërruar pronari. Thotë se më nuk është pronar i laboratorit kompania “Ex Fis”, por është Muhamet Uka. /Telegrafi/