Qytetarët e Kosovës, përveç akcizës paguajnë 10 për qind taksë doganore për importimin e veturave elektrike. Gjatë këtij viti janë doganuar rreth 241 vetura elektrike, në vlerë prej mbi 8 milionë euro.
Ndërkaq, ekspertë të ekonomisë dhe të komunikacionit thonë se qytetarët duhet liruar nga kjo pagesë, në mënyrë që t’u mundësohet atyre të arrijnë sa më lehtë tek këto vetura. Përveç kësaj, vlerësohet se duhet ulur edhe vlera e TVSh-së për importimin automjeteve me rrymë.
Ndërsa, Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që ka hequr pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSh) në doganë për importimin e veturave elektrike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë për KosovaPress, se Kosova duhet ta bëj një hap të shpejtë që veturat elektrike t’i lirojë nga tatimi doganor. Shkas për këtë, Rafuna përmend faktin se shumë shpejt shtetet në Bashkimin Evropian nuk do të lejohen të qarkullojnë veturat me djegie të derivateve.
“Veturat elektrike duhet patjetër, jo vetëm pa doganë por edhe Tatimin e Vlerës së Shtuar të reduktuar. Ne e kemi kërkuar këtë, pra të stimulohet tregu, t’u mundësohet qytetarëve të arrijnë sa më lehtë tek veturat elektrike. Kur dihet tani që shumë shpejtë, për shkak të vendimit në vendet e Bashkimit Evropian që kanë marrë që deri në një kohë të caktuar, nuk do të lejohet më të qarkullojnë veturat me djegie të derivateve. Kështu, që edhe Kosova duhet ta bëjë një hap shumë të madh dhe të shpejtë që veturat elektrike t’i lirojë nga tatimi doganor dhe ta ulë TVSH-në për veturat elektrike nga 18 për qind sa është në shkallën më të ulët të mundshme”, tha Rafuna.
Po ashtu, edhe eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj konsideron se duhet hequr tatimi doganor për veturat elektrike, derisa shton se sistemi i doganimit të automjeteve është i stërvjetëruar dhe se sipas tij duhet të riparohet.
Dedaj shtoi se institucionet nuk vendosin që dogana të hiqet për shkak se ata “shikojnë vetëm rreth asaj se sa humbin financiarisht”.
“Sigurisht që duhet hequr dogana në Kosovë… për automjete të cilat e shfrytëzojnë rrymën elektrike për lëvizje…Problem tjetër te dogana është se sistemi i doganimit të automjeteve është i stërvjetëruar që duhet te riparohet dhe që duhet format të tjera të bëhen në mënyrë që tregu i Kosovës të rifreskohet me automjete…Sa i përket automjeteve me rrymë elektrike , shtetet e perëndimit veç është në trend se nuk paguajnë doganë, de fakto, ato e prodhojnë edhe vet.
Kosova duhet patjetër ta bëjë sinkronizimin e doganimit të automjetit 6 vjeçar me 12 vjeçar….Dogana është duke u marrë më budallallëqe të tilla, që herë e zgjatë 12, 10 herë 14, ato nuk janë në standardet evropiane dhe profesionale…Krejt kjo bëhet për shkak se dëmtohet buxheti financiarisht, asnjëherë nuk e qojnë më mendje ekologjinë edhe sigurinë rrugore, por gjithmonë e shikojnë se sa janë duke humbur financiarisht”, potencoi Dedaj.
Ndërkaq, nga Doganat e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se gjatë këtij viti janë importuar 241 vetura elektrike, në vlerë totale rreth 8.6 milionë euro. Nga ky institucion potencojnë se për importin e një automjeti me rrymë, qytetarët paguajnë 10 për qind taksë doganore dhe 18 për qind të TVSH-së.
“Gjatë vitit 2023 në vendin tonë janë importuar 241 vetura elektrike, me vlerë totale rreth 8.6 milionë euro. Për importin e një veture të tillë paguhet 10% taksa Doganore si dhe TVSH-ja 18%”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndryshe, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Shqipëri, në zbatim të direktivave evropiane, ka qenë e para ndër administrata doganore të rajonit që ka përqafuar qasjen ambientaliste lidhur me lehtësitë fiskale për veturat elektrike.
Shqipëria në vitin 2020 ka hequr pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) në doganë për importin e automjeteve me rrymë.
Gjatë vitit 2020, në Shqipëri janë importuar rreth 215 automjete elektrike të reja, 309 në 2021 dhe rreth 500 në vitin e kaluar.
Prezenca e automjeteve elektrike nuk është aq e theksuar as në Maqedoninë e Veriut. Bazuar në të dhënat e Entit Shtetërore të Statistikave, rreth 200 automjete elektrike ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut. Disa prej komunave në Shkup, prej vitesh në parkun e automjeteve i kanë futur makinat elektrike.
Në Serbi, nga viti 2024 zyrtarisht do të filloj të prodhohet makina elektrike “Fiat Panda”, sipas të dhënave jo zyrtare lëvizin rreth 4 mijë makinat elektrike, përfshirë edhe ato hibride. Përdorimi më i madh i këtyre automjeteve për të cilët thuhet se e zvogëlojnë ndotjen e ajrit dhe e ruajnë mjedisin në përgjithësi, parashihet të ndodhë pas vitit 2024, kur në qytetin e Kragujevacit pritet të prodhohet makina e parë elektrike.
Me përjashtim të Serbisë, makinat e elektrike nga vitit 2024 është paralajmëruar se do të prodhohen edhe në qytetin e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut. Investimi në vlerë prej 130 milionë euro vjen në kohë kur Evropa paralajmëroi se nga viti 2035 do të ndalojnë shitjen e makinave me motorë me lëndë djegëse fosile dhe do të riorientohen plotësisht në automjetet elektrike.
Më shumë se 400 makina elektrike janë të regjistruar në Mal të Zi. Analizat e sektorit civil këtë në shtet flasin se Mali i Zi ende gjendet në fazën e hershmë të e-mobilitetit./kp/