Site icon Telegrafi

Kërkohet funksionalizimi i rrugës Morinë-Çakor-Pejë

Shoqata e qytetarëve, “Miqtë e Plavës”, i kanë bërë apel qeverisë së Malit të Zi që të përshpejtojë procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës për vënien në funksion të rrugës Morinë-Çakor-Pejë.

Ata gjithashtu kërkuan nga diaspora që ta mbështesin këtë iniciativë dhe të theksojnë se kjo rrugë paraqet një lloj ‘litari të shpëtimit’ për tërë Malësinë e Madhe.

“Faktet flasin gjithçka. Është vetëm 60 kilometra nga Peja në Morinë, dhjetë të tjera deri në Plavë dhe më pas tetëdhjetë deri në Podgoricë. Pra, gjatësia totale e rrugës nga Peja në Podgoricë do të bëhet 150 kilometra, ndërsa ajo aktuale është mbi 300, nëse kaloni nëpër Kullë, Rozhajë dhe Berane”, kanë thënë për rtcg nga kjo shoqatë.

Ata deklarojnë se bëhet fjalë për përfitim reciprok për banorët në të dyja anët e kufirit.

Kjo iniciativë u aktualizua vitin e kaluar nga kryetari i komunës së Plavës, Nihad Canoviq, gjatë takimit të kryetarëve të komunave veriore të Malit të Zi me kryeministrin, Dritan Aabazoviq.

Prej njëzet e katër vjet, rruga mbi qafën e malit Çakor, që të dërgon nga Morina në Pejë, është e mbyllur për qarkullim. Gjeneratat e vjetra kujtojnë se pas Luftës së Dytë Botërore ishte lidhja më e ngushtë me Kosovën deri në ndërtimin e rrugës mbi Kullë.

Çakori ka qenë prej kohësh rruga më e frekuentuar pavarësisht se qafa ndodhet në një lartësi mbi 1800 metra.

KFOR-i ka mbyllur rrugën në vitin 1999 pas luftës në Kosovë. Rihapja nuk ka vijuar deri më sot, edhe pse nisma të shumta për një gjë të tillë janë dorëzuar në adresa të ndryshme.

Në rrugën që u ndërtua njëqind vjet më parë, ende nuk është vendosur pikëkalimi kufitar, dhe Ministria e atëhershme e Punëve të Brendshme theksoi se në vitin 2014, qeveria e Malit të Zi dhe e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e kufirit Kotlovë – Kuçishte.

Madje zyrtarisht është bërë e ditur se kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në vitin 2015 dhe se më pas janë formuar komisione ekspertësh për zbatimin e saj. Lidhja e Morinës dhe Pejës përmes Çakorit ka mbetur vetëm në letër. /Telegrafi/

Exit mobile version