Katër gazetarë raportohen si të zhdukur dhe 11 të tjerë të vrarë, për të cilët kanë kërkuar drejtësi sot familjarët e tyre dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Në konferencën e organizuar nga AGK dhe OSBE për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë për periudhën 1998-2005, është kërkuar që urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve të vihen para drejtësisë.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu, tha se familjarët e gazetarëve të vrarë meritojnë të dinë se çka ka ndodhur me familjarët e tyre.
Ai tha se përkundër sfidave në Kosovë indeksi i lirisë së shprehjes e rëndit Kosovën në vendin e 75 dhe është një ngritje dhe se Kosova është më së miri në rajon sa i përket lirisë së shprehjes. Ambasadori Braathu përmendi se janë 18 raste të gazetarëve që janë kërcënuar gjatë këtij viti në Kosovë.
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se gazetarët nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për kolegët e tyre të vrarë.
Ajo u ka kërkuar OSBE-së, dhe të gjithë organizatave dhe ambasadave për krijimin e një fondi, që do të kontribuonte për hulumtimin dhe që do të shërbente si kujtim për gazetarët e vrarë.
Zgjidhje të rasteve të vrasjeve të gazetarëve ka kërkuar edhe Kryesues i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Niçiq.
Në këtë konferencë kanë folur edhe familjarët e gazetarëve të vrarë.
Beriana Mustafa, vajza e gazetarit Xhemajl Mustafa, tha se është patetike që në një Kosovë të vogël nuk është zgjedhur asnjë rast i gazetarëve të vrarë. Ajo tha se për ta si familjarë është e rëndësishme të dinë se urdhërdhënësit janë dënuar.
Diar Popova, djali i gazetarit të vrarë Shefki Popova, tha se institucionet kanë dështuar të zgjidhin rastet e gazetarëve të vrarë. Ai tha se shpreson që urdhërdhënësit do të dalin para drejtësisë.