Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë qeverisë për të tretën herë kërkon të përgatitet analizë për implementimin e dokumentit politik që në vitin 2001 ndërpreu konfliktin e armatosur në vend. Brenda tre viteve shteti ka shpenzuar rreth 300 mijë euro për analizat që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa dy analizat e realizuara njëra në vitin 2013 dhe tjetra në vitin 2014 kanë kushtuar secila mbi 90 mijë euro.
“Ne nuk i kemi parë analizat që kanë bërë në të kaluarën, deri ku ka mbërritur implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Mendoj se është joserioze të kërkohen analiza. Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë të vendoset një zëvendës kryeministër me një ekip profesionist dhe jo si deri më tani zëvendës kryeministra qesharak që s’merrnin vesh nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Fatkeqësisht shumica prej tyre as që e kishin lexuar marrëveshjen e Ohrit, prandaj jemi në këtë gjendje”, deklaroi analisti Arsim Sinani për Alsat-M.
Nga sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk japin detaje për qëllimin e analizës. Në analizat e kaluara u përfshinë disa pika të këtij dokumenti politik, si decentralizimi, përdorimi i gjuhëve dhe përfaqësimi i drejtë. Pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve shqiptarë në pushtet se rezultatet e analizës së dytë do të prezantohet në një konferencë ndërkombëtare dhe do të shqyrtohen në mbedhje të qeverisë një gjë e tillë nuk ka ndodhur./Telegrafi/