Qytetarët e Kosovës lehtësisht mund ta kenë konsumuar mishin e eksportuar nga kompania belge “Veviba”, e cila dyshohet të ketë manipuluar me përmbajtjen e mishit dhe me etiketat e afatit të qëndrueshmërisë.
Kompania belge “Veviba” dyshohet se këtë lloj mishi me përmbajtje të dyshimtë e ka eksportuar në Kosovë dy vjet më parë.
Ndërsa vetëm brenda një viti Kosova importon mbi 40 milionë kilogramë të të gjitha llojeve të mishit dhe nga Belgjika thuhet se importohen deri në 200 mijë kilogramë lloje të ndryshme të mishit.
Kështu bëhet e ditur në statistikat që Dogana e Kosovës.
Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganën e Kosovës (DK), ka treguar se vendet nga të cilat Kosova importon më së shumti mish janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Brazili, Argjentina dhe Holanda.
“Në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogramë të të gjitha llojeve së bashku. Sipas statistikave tona, më së shumti brenda një viti Kosova importon mishin e shpezëve (pulë). Derisa origjina e mishit, të cilat importohen më së shumti në Kosovë, janë kryesisht nga SHBA-ja, nga Brazili, nga Argjentina e nga Holanda”, tha Stavileci. /Zëri/Telegrafi/