Të ftuar në emision ishin Arlind Grantolli, redaktor i sportit në KTV dhe Ismet Rexhepi, ish-drejtor i klubit KB Prishtina.
Arlind Grantolli tha se nuk ka transparencë në sportin e Kosovës, si në basketboll ashtu edhe në futboll.
“Jo vetëm basketbolli e ka këtë problem por edhe futbolli. Klubi Prishtina i futbollit i ka të mbyllura xhirollogaritë dhe kjo nuk është e ligjshme, por ja që klubet po funksionojnë kështu. Këtu klubet duhet ose të jenë publiko- private ose OJQ”, ka thënë Grantolli.
Sipas tij, ka shumë klube që operojnë me pagesa me para në dorë duke i ikur tatimit.
“Klubet nuk i kanë publikuar të hyrat vjetore dhe nuk kanë as webfaqe. Çdo vit duhet të publikohen të dhënat e financave, kurse klubet janë të izoluara”, theksoi më tej ai.
Kurse Ismet Rexhepi, ish-drejtor i klubit KB Prishtina, është shprehur i habitur se si mund të funksionojë klubi me xhirollogari tjetër.
“KB Prishtina për t’i ikur obligimeve, e ka krijuar një subjekt fiktiv”, theksoi Rexhepi.
Rexhepi tha se para disa ditësh është mbajtur një kuvend pune ku është dal me raport se KB Prishtina ka qarkulluar 1 milion euro, ndërsa shtoi se klubi KB Prishtina xhirollogaritë i ka të bllokuara dhe i ka qarkulluar mjetet nga ‘akademia basket’.
“Unë mendoj se duhet të auditohen klubet duke filluar nga licenca, tatimet, kontot e shumë gjera tjera”, theksoi Rexhepi.
Ish-drejtori i KB Prishtinës tha se ATK-ja dhe prokuroria duhet urgjentisht të fillojnë hetimet dhe “sigurt do gjejnë shkelje dhe keqmenaxhim në shumë klube”.