Për t’u hapur rrugë hetimeve të pavarura në lidhje me vdekjen e aktivistit të lëvizjes “Vetëvendosje”, policia metropolitane “Scotland Yard” kërkon shkarkime dhe dorëheqje nga krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë.
Ndonëse një ekip i pavarur ka monitoruar obduksionin e Astrit Deharit, raporti që është hartuar në lidhje me vdekjen e tij ka ngjallur reagime të shumta.
Mjeku shqiptar në Berlin, Milot Rama, është shprehur se është i trishtuar me raportin e autopsisë për Astrit Deharin, aktivistin e “Vetëvendosjes” që vdiq në Burgun e Prizrenit, shkruan gazeta ‘Zeri’.
“Unë si mjek me përvojë katër vjeçare në mjekësi intensive, në njërën nga klinikat më prestigjioze kardiologjike dhe pulmologjike gjermane jam më shumë se i trishtuar me raportin e autopsisë”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se shumë shpesh edhe anestezistët dhe mjekët e reparteve intensive me metoda shumë të sofistikuara kanë vështirësi të fusin tubusin me gjerësi maksimale 2 centimetra në rrugët e frymëmarrjes. “Prandaj tani përdorim gjithnjë e më shumë video-laringoskop, ku rrugët e frymëmarrjes i vëzhgojmë në kamerë për intubim më të shpejtë”, ka thënë ai. /Zëri/