Prokuroria e Shtetit ka ngritur disa aktakuza ndaj personave që kryen vepra penale gjatë ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas Prokurorisë deri më tani janë ngritur 14 aktakuza ndaj 18 personave në të gjitha rajonet e Kosovës.
Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë që personat që kanë dëmtuar procesin zgjedhor të dënohen me burgim.
Ngritjen e aktakuzave nga prokuroria e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi Ekrem Lutfiu.
Lutfiu tregon për rastet veç e veç dhe për çka dyshohen personat e akuzuar.
Sipas tij Prokuroria në Gjilan ka ngritur 3 aktakuza ndaj 5 personave për veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, si dhe një aktakuzë kundër një personi për veprën penale ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’. Ndërsa në Prizren janë ngritur dy aktakuza kundër 2 personave për veprën penale ‘cenimi i fshehtësisë së votimit’.
Aktakuzë është ngritur edhe në Ferizaj kundër një personi për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’.
Në Gjakovë ka pasur më së shumti punë për Prokurorinë. Kështu në këtë Prokurori janë ngritur 7 aktakuza kundër 7 personave për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.
Në Mitrovicë është ngritur një aktakuzë kundër tre personave për veprat penale “Pengim i procesit të votimit” dhe “Lëndim i lehtë trupor“. E në Pejë Prokuroria ka ngritur një aktakuzë kundër dy personave për shkak të veprës penale ‘keqpërdorimi i të drejtës së votimit’.
Lutfiu thotë se Prokuroria po heton edhe zarfet e ardhura nga Serbia për të cilët u raportua se janë të kontaminuar.
“Disa nga zarfet e dyshuara janë marrë si provë materiale për t’u dërguar për ekzaminim më të detajuar”, thuhet nga Prokuroria.
Përfaqësues nga shoqëria civile kërkojnë që ata që bëjnë shkelje gjatë procesit zgjedhor të marrin dënime maksimale nga drejtësia.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për KosovaPress se politika e dënimeve jo adekuate ka ndikuar që komisionerët të vazhdojnë që edhe në zgjedhjet e 6 tetorit të manipulojnë me vota.
Sipas tij deri tani asnjëherë nuk janë dënuar ata që i kanë nxitur komisionerët që të bëjnë vepra penale gjatë zgjedhjeve, qoftë liderët e partive politike apo edhe sponzorizuesit e fushatave zgjedhore të tyre.
“Ne kërkojmë që prokurori i shtetit të bëjë hetim të krimit të organizuar në zgjedhje që shkon besoj deri tek liderët e partive politike apo ata që i mbajnë liderët e partive politike që janë donatorët, financuesit e fushatave të tyre. Dhe po ashtu gjykatësit mos të shqiptojnë dënime me kusht dhe dënime me gjoba të cilat nuk e arrijnë qëllimin për çka shqiptohen, por të ketë dënime me burgim efektiv që njëherë e përgjithmonë të kuptohet se në demokraci vota është përcaktuesi më i madh i cili thjesht vendos se a ka demokraci apo nuk ka”, thotë Musliu.
Edhe këshilltari ligjor në KDI, Florent Spahija thotë se të gjithë ata që bëjnë manipulime të votave duhet të ndëshkohen me dënime maksimale.
“Dënimi nga gjykatat duhet të jetë dënim maksimal, pra të mos jetë dënim i butë për ta meqë dënimi që i bëjnë shtetit ata është shumë i madh . Pra prej atyre zgjedhjeve të vjedhura ose prej zgjedhjeve të cilat emrat e kandidatëve janë të manipuluar votat e tyre kemi njerëz të cilët futen ose hyjnë në pushtet pa meritë, dhe njerëz të cilët nuk i ka votuar populli por i kanë vendosur kandidatët…Ishte dashtë me qenë punë e prokurorisë nëse kishte dashur të merret edhe me kah ka rrjedhur ose pse janë bërë manipulimet e votave, kush i ka paguar, ose kush iu ka thënë me i bë ato, apo me kënd kanë bashkëpunua. Pra prokuroria ishte dashur të kërkoj këtë të vërtet dhe të vendos para gjykatës që me u gjykua edhe ata persona, në këtë rast janë subjektet politike që kërkojnë manipulimin e votave apo kandidatët e caktuar që kanë kërkuar manipulimin e votave dhe nuk bënë të mbesin pa u ndëshkua r edhe ata”, thotë Spahija.
Kosova në çdo palë zgjedhje ballafaqohet me vjedhje të votave nga komisionerët që vijnë nga subjektet politike që janë në garë.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2017 Prokuroria e Shtetit kishte ngritur gjithsej 23 kallëzime penale për keqpërdorim në zgjedhje ku u përfshinë 27 persona. /Kp/Telegrafi/