Site icon Telegrafi

‘Kërko shumë, që të marrësh diçka!’

Në rast se do të arrihet deri tek imponimi për status të veçantë për veriun e Kosovës, pse të mos përdorim parimin ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’, që edhe ne, si palë kosovare, të kërkojmë një status të veçantë për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe kësisoj të jemi në ofensivë dhe diplomacia serbe të detyrohet të zgjedhë se çfarë të bëjë?!

Kosova gjendet në fazën e bisedimeve ‘teknike’ me Serbinë, të cilat po realizohen nën patronatin e bashkësisë ndërkombëtare, ku edhe përkundër realitetit të ri të Kosovës, Serbia pas tërë atyre shuplakave që ka marrë, duke përfshirë fillimin e bombardimeve e deri te vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e drejtë të pavarësisë së Kosovës, ende nuk merr vesh dhe vazhdon me avazin e vjetër të qëllimeve dhe pretendimeve për zaptimin e territoreve të shteteve të tjera, ku zyrtarë të nivelit të lartë dhe udhëheqës serbë dalin me deklarata duke bërë thirrje për ndarjen e Kosovës. Kjo sjellje politike e udhëheqësve serbë, edhe pas tërë këtij ndryshimi të situatës në Kosovë, është sikurse sjellja e një fëmije të llastuar dhe kokëfortë, që edhe përkundër shuplakave që fiton si peshqesh për shkak të problemeve që bën, ai prapë vazhdon të sillet në të njëjtën mënyrë.

Parimi ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’ në politikë

Serbia ndjek një parim në politikën e saj që në shumicën e rasteve ka rezultuar funksional dhe i suksesshëm. Parimi ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’ është një parim që përdoret në shumë sfera të jetës, por edhe në politikë gjen zbatimin e tij. Në luftën e fundit, që dërgoi në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, pas ndërhyrjes nga politika ndërkombëtare, Serbia detyrohej të ulej në tavolinë dhe gjatë negociatave përdorte këtë parim. Marrëveshja e Dejtonit është një shembull i tillë nga e cila rezultoi në ndarjen e Bosnjës e Hercegovinës (BeH) në dy pjesë, ku 51% i takonte federatës së BeH, kurse 49% Republika Serpskës. Kjo situatë ka ardhur pas ndjekjes së këtij parimi nga politika serbe e prirë nga Sllobodan Milosheviç. Dhe sot e kësaj dite, BeH nga kjo marrëveshje ndodhet e ndarë. Edhe pse janë bërë disa ndryshime në marrëveshje, prapëseprapë, këmbëngulësia dhe parimi i të kërkuarit shumë që të marrësh diçka nga ana e serbëve, ka bërë që BeH të jetë në gjendje të këtillë.

Shembulli i Kosovës

Nëse e kthejmë observimin në Kosovë për të analizuar se çfarë ka ndodhur, fare lehtë vërehet suksesi i parimit ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’. Si pasojë e këmbëngulësisë dhe kryeneçësisë së palës serbe, me një fjalë të ndjekjes së parimit që zbatohet në politikën e saj fqinjësore dhe ndërkombëtare, Kosova është e detyruar të zhvillojë vazhdimisht bisedime me Serbinë. Nëse bëhet një kronologji e pasluftës së Kosovës, shihet suksesi i ndjekjes së parimit ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’ nga pala serbe, që në një aspekt tjetër, palën kosovare gjithmonë e ka dërguar në defensivë dhe kësisoj Kosova nuk ka pasur rastin të sulmojë diplomatikisht e as të mos ketë mundësinë që ta akuzojë Serbinë për gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Enklavat serbe, eksterritorialiteti i manastireve, që përbëjnë 15% të territorit të vendit tonë, janë bërë të obliguara me Pakon e Ahtisarit që të realizohen. Këto obligime kanë dalë si rezultat i procesit negociues dhe këmbëngulësisë së palës serbe, duke ndjekur parimin ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’.

Edhe veriu i Kosovës – jo vetëm Mitrovica veriore – që ka një vijë ajrore afërsisht prej 40km prej kufirit e deri në lumin Ibër, kontrollohet nga strukturat paralele serbe që sponsorizohen nga qeveria e Serbisë dhe që vëzhgohen nga misioni i Brukselit, EULEX-i. Në këtë pjesë të territorit të saj, qeveria e Kosovës nuk ka qasje, përpos qytetarëve që dalin të ‘bëjnë biznes’. Kjo gjendje që mbizotëron në atë pjesë të Kosovës ka shtuar apetitet e qeverisë serbe për t’ia aneksuar këtë pjesë. Garancitë ndërkombëtare për mosndarje të Kosovës ekzistojnë me pakon e Ahtisarit, me qëndrimin e Grupit të Kontaktit, por që kjo pjesë e Kosovës është një problem i madh pranohet pa hezitim. Daniel Serwer, nga instituti amerikan për paqe dhe njohës i situatës në Ballkan, në një intervistë pranoi hapur që veriu i Kosovës është një problem i madh dhe zgjidhja e tij është e vështirë. Kosova ndodhet në situatën që kur përmendet ndarja e saj e kap makthi dhe as që nuk mund të imagjinohet që të ndodh një gjë e tillë, kurse, nga ana tjetër, Serbia faktikisht kontrollon pjesën veriore të Kosovës duke shkelur kështu edhe marrëveshjen e Kumanovës dhe kërkon ndarjen zyrtare, që gjeografikisht kjo pjesë të paraqitet edhe në hartën politike të Serbisë.

Çfarë duhet të bëhet?

Në këtë situatë dikotomike të veriut të vendit, duhet patjetër të gjendet një zgjidhje. Në një anë Kosova as që do dhe as që pranon të bëhet fjalë për shkëputje ose ndarje të kësaj pjese që historikisht ka qenë e saj, Serbia, në anën tjetër, me kryeneçësinë e saj dhe duke ndjekur parimin që i ka kryer gjithmonë punë ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’ e kontrollon këtë pjesë, por do që edhe juridikisht e gjeografikisht të bëhet e vetja. Për t’i gjetur zgjidhje kësaj situate të krijuar, duhet që palët të negociojnë për këtë problematikë e cila edhe mund të jetë në tavolinën e bisedimeve që po realizohen nga dy palët dhe nuk përjashtohet mundësia t’i imponohet palës kosovare nga bashkësia ndërkombëtare që veriu i Kosovës të ketë status të veçantë, por përbrenda integritetit territorial të Kosovës. Në rast se do të arrihet deri tek imponimi për status të veçantë për veriun e Kosovës, pse mos të përdorim parimin ‘kërko shumë, që të marrësh diçka’ që edhe ne, si palë kosovare, të kërkojmë një status të veçantë për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe kësisoj të jemi në ofensivë dhe diplomacia serbe të detyrohet të zgjedhë se çfarë të bëjë?!

Exit mobile version