Site icon Telegrafi

Kërkimet për “Escobarin e Ballkanit”, tri vendet ku dyshohet se po qëndron Klement Balili

Për kapjen e Klement Balilit më 26 janar 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në gjykatë autorizimin për kryerjen e kontrolleve në një sërë banesash e biznesesh në Tiranë, Delvinë dhe Sarandë.

Bazuar në kërkesën e prokurorisë, gjykata ka krijuar bindjen dhe më pas ka dhënë autorizim për kontrollin e banesave dhe bizneseve siç ka kërkuar organi i akuzës. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka paraqitur kërkesën në gjykatë bazuar në informacionet e servirura prej Policisë së Shtetit, shkruan Panorama.

Policia ka mbajtur në vëzhgim pa rezultat persona familjarë të Klement Balilit, lidhjet fisnore të tij, por edhe rrethin shoqëror.

Pasi ka krijuar tablonë e personave që mund të kishin dijeni për vendqëndrimin e Balilit, apo që mund ta kishin takuar atë, prokuroria, bazuar në informacionet e policisë, ka kërkuar autorizim në gjykatë për kryerjen e kontrolleve.

Në këtë mënyrë, gjykata ka autorizuar kontrollin në banesën e shtetasit Th.F., në fshatin Burojan, në Delvinë. Po ashtu, gjykata ka autorizuar kryerjen e kontrolleve në resort “Santa Quaranta”, në lagjen nr.1, në Sarandë dhe në një disko aty pranë në rrugën që shkon drejt Ksamilit.

Prokuroria ka marrë autorizim gjyqësor edhe për kryerjen kontrolli në një hotel dhe në banesën e shtetasit V.H., pranë shkollës së mesme në Sarandë.

Po kështu, sipas dokumenteve që disponon gazeta “Panorama” me autorizim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë kryer kontrolle edhe në një banesë në rrugën nr.5 në Sarandë, e cila është në pronësi të personave të afërm të shtetasit Th.F. Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle edhe në fshatin Stjar në Delvinë, në banesat e Bashkim e Klement Balilit. Nga ana tjetër kontrollet janë kryer edhe në Tiranë në rrugën “Besnik Sykja”, në banesën e shtetasit B.K.

Po kështu, kontrolle e kërkime janë bërë nga forcat speciale me autorizim nga gjykata e prokuroria në banesat e shtetasit R.B., në Stjar të Delvinës, por edhe në banesat e këtij shtetasi në Rrugën e Kavajës, në Tiranë.

Në fakt, të gjitha kontrollet u kryen nga forcat speciale, në një operacion që u zhvillua në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, javën që kaloi. Forcat speciale shoqëruan më shumë se 11 persona të afërt të Klement Balilit, por edhe rrethin e tij shoqëror.

Djali, gruaja, vëllai dhe persona të tjerë të afërt të biznesmenit 46-vjeçar u morën në pyetje për orë të tëra në Policinë e Gjirokastrës, por thanë se nuk kishin asnjë dijeni për vendndodhjen e Klement Balilit. /Panorama/

Exit mobile version