Telegrafi

Kërkesë për paraburgimin e zyrtarit të ATK-së që u ndalua duke kontrabanduar barna

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin L.P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Kontrabandimi me mallra”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se më 1 shkurt 2024 në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë përkatësisht në fshatin Bistricë, i pandehuri L.P., është ndaluar nga policia në pikë kontroll, i njëjti ka qenë duke e drejtuar veturën zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës.

Lexo po ashtu Arrestimi i zyrtarit të ATK-së, policia jep detaje

“Gjatë kontrollit në bagazh janë gjetur dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës. Seanca dëgjimore për  caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/ ​