Site icon Telegrafi

Kërkesat për tërheqjen e kursimeve pensionale, Trusti: Ne zbatojmë vendimet që merren nga institucionet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ditë më parë ka ri-propozuar tërheqjen e mjeteve financiare nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trustit) deri në 30 për qind.

Haxhiu këtë propozim e ka dhënë me arsyetimin se është bërë shtrenjtimi i rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor, shkruan Telegrafi.

“Me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30 për qind. Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është më se e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30 për qind”, kishte kërkuar Haxhiu.

Lexo po ashtu Deputeti Haxhiu ripropozon tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti deri në 30 për qind

Lidhur me këtë, Trusti në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se zbatojnë legjislacionin që nxirret nga institucionet e vendit dhe se ka mandat vetëm për menaxhimin e fondeve.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në pensionim. Kjo nënkupton zbatimin e legjislacionit në fuqi, i cili nxirret nga institucionet përgjegjëse të vendit. Pra, ne mund të deklarohemi vetëm për çështjet që bien në fushën e veprimit tonë institucional”, tha zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Kujtojmë se tërheqja e 10 për qind e mjeteve ishte garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Lexo po ashtu Demi: Janë tërhequr 197 milionë euro nga 10 përqindëshi në Trust, aplikuan rreth 425 mijë kontribuues

Qeveria me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional kishte paraparë kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro. Aplikimi për tërheqjen e këtyre mjeteve kishte qenë i hapur nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021.

Nga kjo tërheqje kishin përfituar mbi 425 mijë qytetarë, të cilët kishin tërhequr rreth 200 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version