Site icon Telegrafi

Kërkesat e sindikalistëve dhe paralajmërimi i SBASHK-ut për grevë në arsim

Një ditë më parë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti një protestë, në të cilën paraqiten gjashtë kërkesa për Qeverinë e Kosovës, ndërsa ndër to ishin Ligji i Pagave, Ligji i Sigurimeve Shëndetësore.

Gjatë protestës u kërkua të lejohej edhe një tërheqje e parave nga Trusti Pensional.

Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’i marrin parasysh kërkesat e sindikalistëve.

Ai tha se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre legjitime.

I pranishëm në protestë ishte edhe Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Lexo po ashtu Paralajmërohet grevë në arsim nga 20 prilli

Ai tha se Qeveria e Kosovës po heshtë, duke nënçmuar kështu kërkesat e punëtorëve të Kosovës dhe duke treguar mungesë të gatishmërisë për dialog.

“Këtu janë vetëm veprimtarët sindikalë. Në të ardhmen do të jetë e tërë anëtarësia. E dikujt nuk do t’i dalin hesapet si duhet, e ajo që nuk i dalin hesapet do të jetë Qeveria”, tha ai.

Jasharaj më tej shtoi se Qeveria e Kosovës nga 20 prilli arsimtarët do t’i shohë në grevë.

Ndërkaq, ditë më parë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci thotë se aktualisht nuk është koha për greva të cilët janë paralajmëruar nga SBAShK-u.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës po punon shumë dhe grevat e protestat janë të panevojshme për shkak të humbjeve në mësim të nxënësve.

“Unë nuk besoj që është koha për greva, Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë. Humbjet tek nxënësit kanë qenë të mëdha, kështu që besoj që bashkë me të gjithë mësimdhënësit dhe SBAShK-un duhet të japin maksimumin për fëmijët tanë. Ka shumë nevojë për përmirësim të rezultateve në arsim”, ishte shprehur Nagavci.

Më poshtë mund t’i lexoni kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme

Përcaktimi i Pagës Minimale

Miratimi i Ligjit për Paga

Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999. /Telegrafi/

Exit mobile version