Telegrafi

Kërkesa të mëdha për blerjen e shtëpive në Gjermani

Kërkesa për paluajtshmëri në këtë vend është shumë e madhe dhe tashti është e mundshme të shitet pothuaj gjithçka që ka mure dhe çati, nganjëherë madje edhe me çmime dukshëm më të larta, raporton Dw

Ndërmjetësit e paluajtshmërive në qytetet e mëdha gjermane si Hamburg, Minhen, Berlin, Shtutgart e të tjerë po i fërkojnë duart nga puna e mirë, duke krijuar fitime rekorde, derisa kritikët e këtij fenomeni tërheqin vërejtjen në efektin e mundshëm të “fluskave të sapunit”. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010, në janar dhe fillim të shkurtit shitblerja e paluajtshmërive ka shënuar rritje prej 60 për qind.
Si një nga arsyet e kërkesës kaq të madhe për blerje të paluajtshmërive ekspertët cekin normat e ulëta të interesit për kreditë bankare.

Në Gjermani konsiderohet se investimi i parasë në shtëpi dhe banesa është investim që gjithnjë shpaguhet. Derisa viti 2008 dhe 2009 ishin vite relativisht të dobëta, në vitin 2010 tregu i paluajtshmërive përjetoi “bum” të vërtetë, gjë që është pasojë e gjendjes së mirë të ekonomisë gjermane, për të cilën thuhet se me mjaft sukses e ka kaluar krizën. /Telegrafi/