Kanë prenotuar që tani 11 hotele në zonën e Golemit në bregdetin e Adriatikut, nga maji deri në shtator 2018. Kanë harxhuar deri tani në Shqipëri 13 milionë euro dhe pritet të harxhojnë shumë më shumë në të ardhmen.
Një përfaqës e një operatori turistik polak ka paraqitur këto ditë një kërkesë “të vogël” te ministri i ri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Klosi zbuloi kërkesën e habitshme pas pyetjes së tij “me çfarë mund t’ju ndihmojmë si Ministri”.
“Vetëm një kërkesë kemi, kamerierët shqiptarë të buzëqeshin”, ishin një zëri fjalët e përfaqësisë polake të operatorit turistik. “Jam gjendur keq nga kjo kërkesë. Prisja të më paraqiste kërkesa që lidheshin me ato probleme që ne i hasim më shpesh, si komoditeti, papastërtia, mungesa e guidave e të tjera si këto… Më thanë se kamerierët shqiptarë janë të vrazhdë, nuk kanë mirësjellje dhe nuk qeshin”.
Klosi shtoi se një nga komponentët që turizmi shqiptar do ta ketë prioritet do jetë rritja e cilësisë së shërbimeve.