Ditë të ethshme pritjeje për Nazime Vishën. E dënuara me 10 vite burg për vrasjen e Fiqiri Muçës në gusht të 2012-ës, tani më shumë se kurrë i ka kthyer sytë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Me kërkesën e saj, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i propozoi Nishanit faljen e vajzës, duke arsyetuar se përmbushen të gjitha kriteret ligjore dhe se nuk ka asnjë pengesë që ajo të dalë në liri. Por, afati që ka në dispozicion kreu i Shtetit, sipas ligjit për faljen është drejt fundit.
Sipas nenit 13 të ligjit “për faljen”, Presidenti i Republikës ka një afat prej 30 ditësh për t’u shprehur për kërkesën për falje.
“Nëse Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda afatit prej tridhjetë ditësh, sipas nenit 10 të këtij ligji, kërkesa për falje dënimi konsiderohet e rrëzuar. Në këtë rast, ministri i Drejtësisë njofton kërkuesin për kalimin e afatit, sipas këtij neni. Kërkesa nuk mund të përsëritet nga i dënuari përpara se të kenë kaluar gjashtë muaj nga data e kalimit të afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni”, thuhet konkretisht në nenin 13 të ligjit.
Referuar dokumentacionit rezulton se ministri Manjani i ka propozuar presidentit faljen e vajzës më datë 26 shkurt 2016 dhe duke qenë se ligji parashikon afatin 30-ditor për firmosjen e dekretit, ky afat është drejt përfundimit.
Kështu, kreu i shtetit ka edhe pesë ditë në dispozicion për të vendosur nëse do ta falë ose jo Nazime Vishën. Nëse brenda pesë ditësh Nishani nuk hedh firmën e tij, atëherë shpresat e vajzës për liri shuhen. E vetmja shpresë i mbetet mandej të përfitojë nga amnistia, uljet e dënimit dhe mundësia për të përfituar nga lirimi para kohe me kusht. Megjithatë, pesë ditët e ngelura, duket se janë ditë të gjata pritjeje të ankthshme për të dënuarën, e cila prej 4 vitesh ndodhet në qeli, duke shlyer dënimin e drejtësisë.
Nazime Visha qëlloi për vdekje babin e pesë fëmijëve, të cilin e akuzonte se e kishte abuzuar seksualisht për katër vite me radhë. /BW/Telegrafi/