NATO u ka kërkuar anëtarëve më shumë para për të financuar një rritje të pagave për stafin, një kërkesë që disa vende të aleancës e konsiderojnë joproporcionale duke pasur parasysh goditjen e marrë nga COVID-19 në ekonomitë e tyre dhe po e refuzojnë.
Kështu së paku shkruan Reuters, duke u bazuar në deklarata të tre diplomatëve evropianë, përcjell Telegrafi.
Sipas Reuters, rritja e propozuar prej rreth 2.2% do të ishte më e madhja në katër vjet dhe vjen ndërsa aleanca ushtarake perëndimore kërkon të miratojë buxhetin e saj për vitin 2021 dhe ekonomitë evropiane përballen me tkurrjen e tyre më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një lëvizje e tillë, siç vlerëson tutje Reuters, shton tensionet brenda aleancës së 30 vendeve, sidomos pasi Donald Trump ka akuzuar aleatët evropianë për marrjen e mbrojtjes “falas” nga SHBA.
“Ekziston një krizë ekonomike për shkak të pandemisë dhe ata po kërkojnë para për një institucion ku pagat më të ulëta janë 4,000 euro. Është një shaka , citohet të ketë thënë një diplomat evropian i njohur me këtë çështje. “Të kërkosh nga shtetet që të rrisin kontributet për të paguar pagat gjatë COVID-19 është e papërgjegjshme”.
Ndryshe, sipas Reuters, rreth 1.000 civilë punojnë brenda stafit ndërkombëtar të NATO-s, i cili përbëhet vetëm nga shtetas nga vendet anëtare të NATO-s.
Ata ofrojnë këshilla, udhëzime dhe mbështetje administrative për delegacionet kombëtare në Selinë e NATO-s. /Telegrafi/