Telegrafi

Kërkesa botërore e naftës pritet të rritet me 6 për qind në vitin 2021

Kërkesa botërore e naftës parashikohet të rritet me 6 për qind këtë vit bazuar në pritjet që fushatat e vaksinimit të vazhdojnë me ritëm të shtuar dhe pandemia COVID-19 kryesisht të vihet nën kontroll.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), kërkesa vlerësohet të rritet me 5.4 milionë fuçi në ditë në një mesatare prej 96.4 milionë fuçi në ditë.

IEA paralajmëroi se rimëkëmbja e kërkesës botërore për naftë mbetet e brishtë pasi rritja e rasteve me COVID-19 në Indi dhe Tajlandë zbehin tendencat e fundit pozitive në Evropë dhe SHBA.

Duke theksuar se konsumi vazhdon të jetë më i ulët se në fund të vitit 2020, EIA tha se rënia reflekton në një masë të madhe modelet sezonale dhe shpërthimet e COVID-19 të regjistruara në Brazil, Indi dhe Evropë, si dhe moti i acartë me akull në shkurt në SHBA kontribuoi në ngadalësimin e rimëkëmbjes së kërkesës globale.

Në 2021, konsumi më i lartë parashikohet të jetë në rajonin e Azisë-Paqësorit me 35.8 milionë fuçi në ditë, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Jugore me 30.2 milionë fuçi dhe Evropa me 13.8 milionë fuçi.

Agjencia tha se furnizimi botëror i naftës u rrit me 330 mijë fuçi në ditë në prill në 93.37 milionë fuçi në ditë, pasi flukset më të larta nga SHBA, Rusia dhe Brazili, të kombinuara me një rritje të konsiderueshme të biokarburanteve kanë qenë më të larta sesa kompensimi i ndërprerjeve të mëdha të mirëmbajtjes në Kanada. /Telegrafi/