Site icon Telegrafi

Kërçovë, të kujt janë 100 kafkat në Dardhë?!

Hetues të Prokurorisë Themelore të Gostivarit të shoqëruar me ekspertë të mjekësisë ligjore nga Shkupi, Kërçova dhe Ohri – në ditën e katërt të hetimeve kanë mbyllur qasjen te shpella afër vendit të quajtur “Dardha” në afërsi të fshatit Baçisht të Kërçovës, ku ditë më parë, një ekip speleologësh italianë gjetën mbetje të shumta mortore dhe rreth 100 kafka njerëzish. Prokuroria e përgjithshme tashmë ka dhënë udhëzime për sigurimin e kontrollit operacional, ndërsa rastin e ka quajtur me emrin “Kafka”, shkruan Gazeta Koha.

Ishte një ekip i speleologëve nga Italia, i cili me iniciativë të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nisi hetimet në këtë shpellë, për të cilën prej vitesh flitej se ka mbetje mortore të shqiptarëve e që datojnë shumë vite përpara.

Hetimet vazhdojnë në ditët në vijim, shpella me urdhër të prokurorit publik do të sigurohet pandërprerë, kanë thënë shkurt nga Prokuroria e Përgjithshme e Maqedonisë. Vendin ku u gjetën kafkat e sigurojnë edhe pjesëtarë të Njësiteve speciale të Maqedonisë, si dhe polic të uniformuar. Prokurori i Prokurorisë së Gostivarit, Ahmet Ahmeti ka konfirmuar rastin, megjithëse nuk ka dhënë detaje tjera, pasi siç është shprehur ai, për hir të hetimeve, informatat shtesë do të jepen pasi të përfundojë ekspertiza.

Banorët: Janë trupat e gjyshërve tanë

Në Kërçovë, në të kaluarën është folur “nëpër dhëmbë” për varrezë masive në një shpellë afër Kërçovës. Madje, disa speleologëve maqedonas, shpella që tashmë është pagëzuar me emrin “Kafka”, është zbuluar që përpara tetëmbëdhjetë vjetësh, por për çudi deri më tani institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë asgjë për të zbuluar misteret që po fsheh ajo. Mbase, një heshtje e këtillë mund të ketë qenë e qëllimshme, që me gjasë mund të jetë edhe e “porositur” që sa më shumë të heshtet, dhe që kjo të mbulohet sa më shumë të jetë e mundur me pluhur harrese dhe të ngërthehet me mister.

Dhe përderisa opinioni po sorollatet duke kërkuar përgjigje se të kujt janë kafkat, nëpër kuloaret e bisedave në Kërçovë, po thuren biseda se ato mbetje skeletesh janë të kërçovarëve, të cilët dikur janë pushkatuar pa gjyq tek vendi i quajtur “Gështenjat”, dhe më pas gjurmët e krimit të jenë hedhur në këtë shpellë misterioze.

Takimi i rastësishëm me ekspertët italianë

Iniciativa e parë për të eksploruar shpellën në vendin e quajtur “Dardhë” ishte e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në muajin gusht, rastësisht në Gostivar takoi grupin e speleologëve italianë që kishin nisur një ekspeditë hulumtuese në këtë qytet. Në rajonin e Gostivarit, speleologët italianë qëndruar për gati 10 ditë, ndërsa Ahmeti i takoi në fshatit Vërtok të Gostivarit. Ahmeti ndodhej në këtë fshat në shoqëri të nënkryetarit të partisë, Nevzat Bejta. Ky i fundit pasi i ka vërejtur speleologët nga Italia të pranishëm në fshat, ka njoftuar Ahmetin që ky ekip po qëndron në Maqedoni për një ekspeditë hulumtuese. Pasi i njoftoi, Ahmeti ua dha idenë se gjasat janë të mëdha që në rrethinën e Kërçovës të ketë në shpellë të panjohur deri tani. Kjo ngjalli kureshtjen e italianëve, të cilët shprehën gatishmëri të kryejnë hulumtimin e tyre. Ashtu dhe ndodhi. Ishte dita e shtunë e javës që lamë pas ku realizua vizita atje. Pasi locuan shpellën, ekspertët italianë gjetën mbetjet mortore dhe kafkat, të cilat tanimë po studiohen nga institucionet e Maqedonisë. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Ahmeti dhe Bejta janë futur në shpellën ku u gjetën eshtra njeriu (Foto)
Lexo po ashtu Gjenden kocka njerëzish në një shpellë të Kërçovës (Video)
Exit mobile version