Telegrafi

Kërcënon me grevë administrata

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civil (FSSHCRK) ka paralajmëruar veprime sindikale në qoftëse qeveria vazhdon të injorojë kërkesat e shërbyesve civil të Kosovës. Në një konferencë për media, Ndue Kalaj nga kjo sindikatë tha se solidarizohen me kërkesat punëtorëve shëndetësorë dhe atyre të arsimit.
Ai tha se edhe kjo sindikatë ka filluar përgatitjet për marrjen e masave sindikale, nëse qeveria vazhdon të shoh me injorancë kërkesat dhe përfaqësuesit e sindikatave të arsimit dhe asaj të shëndetësisë.

FSSHCRK konsideron se Qeveria e Kosovës nuk është duke i marrë për bazë kërkesat legjitime dhe ligjore të shërbyesve civilë dhe se këto kërkesa po i heshtin udhëheqësit qeveritarë, gjë që do të ketë reflektime të pashmangshme sindikale nga ana e shërbyesve civilë të Kosovës.

Hajrullah Hoxha kryetar i FSSHCRK-së ka thënë se me shqetësim janë duke i parë zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Kërkesat bazë që kanë rrjedhur nga punonjësit civilë dhe udhëheqësit e tyre janë futja në zbatim e Ligjit të pagave për shërbyesit civil, zbatimi i kontratës kolektive, rritja e pagave”. Hoxha tha se nëse këto të drejta nuk realizohen për shërbyesit civilë në institucionet e Kosovës do të shfaqen pakënaqësi shumë të mëdha në mesin e punonjësve administrativë. /Telegrafi/