Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se hapja e kufijve që janë shpallur me 17 shkurt është shumë e rrezikshme.
Haradinaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ai mbetet kundër korrektimit të kufijve, pavarësisht nëse dikush tjetër është për këto ndryshime.
“Hapja e kufijve që janë shpallur me 17 shkurt është shumë e rrezikshme, pasi nuk e dimë se ku përfundojnë ata kufij”, tha ai.
Haradinaj ka thënë se më parë do të ishte i gatshëm të dërgojë vendin në zgjedhje, sesa të preken kufijtë.
“Nuk dua të shohë popullin tim nëpër rrugë, sikurse për kufirin me Malin e Zi, sepse atëherë do të jetë më keq. Nuk e dërgoj popullin edhe njëherë në atë gjendje. Ne po korrigjojmë një marrëveshje me Malin e Zi dhe ju e dini se sa probleme na kanë dalë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
“Kush prek kufijtë, dihet kah e çojnë këtë vend”, shtoi Haradinaj.
I pari i qeverisë ka thënë se ai është i pashantazhueshëm.
“Nëse më njihni nga e kaluara, mund të dini nëse unë jam i shantazhueshëm”, tha Haradinaj.
Hradinaj ka thënë se po luhet me ndjenjat e preshevarëve, pasi mundësia e bashkimit për momentin nuk është reale./Telegrafi/