Site icon Telegrafi

Kërcënojnë Veteranët: Nëse nuk na japin pensionet do të ketë protesta

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë reaguar në lidhje me shkurtimin e buxhetit për pensionet e veteranëve të luftës.

“Ne, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jemi të shqetësuar për shkak të shpërdorimit të buxhetit të vitit të kaluar prej 24 milionësh, i ndarë për pensionet e veteranëve sepse janë shfrytëzuar vetëm 5.5 milionë, kurse të tjerat nuk dihet se ku kanë shkuar dhe asnjëherë nuk u dha ndonjë sqarim, as për ne dhe as për opinionin”, thuhet në komunikatën e OVL të UÇK-së.

Në komunikatë theksohet se Qeveria e Kosovës, duhet ta ketë parasysh se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk mund e as që ndërhyn në fondet se ku i dërgon shteti, dhe këtë FMN-ja sipas veteranëve u është thënë edhe atyre në takimin e datës 21 janar 2016, “prandaj të mos bëjnë lojëra me veteranët sepse arsyetimi i tyre për numër të madh të veteranëve dhe aplikuesve për pensione, nuk na takon neve e as veteranëve por shtetit, i cili për çdo shkelje ligji duhet të m arrë masa ligjore ashtu siç edhe parashihet në ligj”.

“Shpërdorimi i 18.5 milionëve të vitit të kaluar, kërkojmë të kompensohet nga 700 milionëshi i Fondit të Privatizimit dhe t’iu kryhen pagesat të gjithë veteranëve ashtu siç e parasheh ligji, dhe më pastaj në buxhetin për vitin e ardhshëm, të planifikohen mjete financiare, me qëllim që të mos ketë asnjëherë këso probleme”, thuhet në komunikatë.

Veteranët e luftës paralajmërojnë protesta masive nëse Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave dhe Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale, vazhdojnë edhe më tutje me anarki institucionale. /Telegrafi/

Exit mobile version