Rafet Ibishi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Mitrovicë, ka thënë se veteranët nuk do t’i tolerojnë më provokimet e Serbisë.
Në një intervistë për emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, Ibishi është shprehur se kjo kategori e dalë nga lufta është e shqetësuar nga situata e fundit politike në Mitrovicë dhe se nëse provokimet vazhdojnë, situata s’do të jetë më e qetë.
“Ne veteranët e UÇK-së jemi të shqetësuar me provokimet e vazhdueshme nga ana e kriminelëve serbë. Sot ne nuk kemi dalë ta kritikojmë marrëveshjen, s’jemi as pro e as kundër marrëveshjeve. Kemi dalë të tregojmë se edhe ne jemi këtu. Kur them se ne jemi këtu, do të thotë se ne nuk i tolerojmë provokimet e Serbisë”, tha ai.
“Protesta e parë ishte paqësore, por s’e besoj që do të ketë më protesta të qeta. Po presim që të hiqet ky mur dhe besoj se do të hiqet”.
Ai e ka krahasuar murin e Mitrovicës me ndarjet kufitare në mes shteteve duke thënë se vendosja e tij, ishte e panevojshme dhe se Kosova që nga paslufta, ka qenë shumë tolerante ndaj Serbisë.
“Për ne ky mur simbolizon ndarje. E shohim të paarsyeshme që të kemi një qytet të ndarë, nëse s’është një zonë kufitare. Nuk ka qenë e nevojshme të vendosej ky mur. Pavarësisht maltretimeve që na kanë bërë gjatë luftës, kemi njerëz të zhdukur, ne kemi bërë tolerime duke menduar se problemi do të zgjidhet me dialog”, ka deklaruar Ibishi. /Klan Kosova/