Telegrafi

Kërcënoi se do ta eliminojë Joe Bidenin, FBI-ja vret burrin që i rezistoi arrestimit në Utah

Agjentët specialë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të mërkurën qëlluan dhe vranë një burrë që dyshohet se kërcënoi Joe Bidenin dhe zyrtarë të tjerë përpara udhëtimit të presidentit amerikan në Utah.

Agjentët specialë po përpiqeshin të kryenin një kontroll në shtëpinë e Craig Deleeuw Robertson në Provo, në jug të Salt Lake City, kur të shtënat ndodhën dhe u ekzekutua viktima.

Robertson shkroi në rrjetet sociale se kishte dëgjuar që lideri amerikan do të vizitonte Utah. Ai po planifikonte të vishte një kostum kamuflazhi dhe “të pastronte pluhurin nga arma snajper M24”, shkruan në dosjen e gjykatës, raporton cnn.

Në një mesazh tjetër, Robertson i referohet vetes si “Maga Trumper”, referencë ndaj sloganit të ish-presidentit Donald Trump, “Make America Great Again”.

Robertson gjithashtu iu referua një “vrasjeje presidenciale” dhe bëri kërcënime të tjera kundër Prokurorit të Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg, Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Merrick Garland dhe Prokurores së Përgjithshme të New Yorkut, Letitia James, thuhet në dokumentet e gjykatës.

“Është koha e duhur për një ose dy vrasje presidenciale. Së pari Joe pastaj Kamala!!!”, Robertson shkroi në Facebook në shtator të vitit 2022.

Ndryshe, nuk u publikuan detaje të tjera në lidhje me të shtënat, të cilat janë duke u hetuar nga FBI-ja. /Telegrafi/