Prokuroria Themelore Publike – Shkup njofton se ka iniciuar procedurë kundër një personi për veprën penale – “rrezikimi i sigurisë”.
Siç njoftojnë nga Prokuroria, më 6 nëntor, i dyshuari ka kërcënuar seriozisht se do të sulmojë jetën dhe trupin e disa zyrtarëve të punësuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, duke shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, rrezikut dhe frikës.
“Ai telefonoi nga celulari në telefonin zyrtar në përfaqësinë diplomatike dhe kërcënoi se nëse nuk pranohej në një takim urgjent, do të sulmonte Ambasadën dhe punonjësit”.
“Me qëllim të zhvillimit të qetë të procedurës dhe sigurimit të prezencës së të dyshuarit, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e disa masave paraprake – ndalim për largim nga vendbanimi, konfiskim të përkohshëm të dokumenti të udhëtimit, ndalim për të vizituar Ambasadën e Republikës së Kosovës, si ndalim për afrimin dhe vendosjen e kontaktit me ambasadorin dhe zyrtarët tjerë të punësuar në Ambasadë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/