Ajo u bë simbol i forcës së gruas në vendin e vet, por tashmë është e detyruar të largohet nga Afganistani pas kërcënimeve të vazhdueshme me vdekje.
Niloofar Rahmani, pilotja e parë femër e aeronautikës afgane ka kërkuar azil politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një sfidë e humbur për Afganistanin, që ende është në kërkim të ekuilibrit të vështirë pas regjimit të talebanëve (dhe pas misionit Enduring Freedom).
Në fakt, Kabuli e mohon që nëntogerja Rahmani është vërtetë në rrezik për jetën.
Në vitin 2013, Niloofar Rahmani u bë gruaja e parë afgane që bëhej pjesë e ushtrisë si pilote avioni, përcjell gsh.
Për të gjithë cilësohej si ‘top gun’ e parë afgane, simbol i arritjes së femrës në një vend ku regjimi i talebanëve ndalonte edhe fëmijët të shkonin në shkollë.
Por gjatë vitit të fundit jeta e saj në vendlindje ishte bërë e pamundur; kërcënime të vazhdueshme jo vetëm nga talebanët, por edhe nga zyrtarë të lartë të ushtrisë afgane.
Pasi u shpërngul në SHBA, ku shkoi për t;u stërvitur me forcat amerikane, 25-vjeçarja përmes avokatit të saj, ka bërë kërkesë për azil, për vete dhe familjen, pasi në vendlindje jeta e tyre është në rrezik të vazhdueshëm. /Telegrafi/