Pas humbjes së Arsenalit ndaj Manchester United në Kupën FA, gruaja e Kai Havertz, Sophia, ndau mesazhe të tmerrshme dhe kërcënime me vdekje që mori përmes rrjeteve sociale, pasi Havertz humbi një penallti vendimtare në fazën e goditjeve nga pika e bardhë.
Ky gabim çoi në eliminimin e Arsenalit nga turneu, pas një barazimi 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë.
Ndërkohë që tifozët e disa skuadrave të tjera, veçanërisht ata të Manchester United, shijuan fitoren, një pjesë e tyre nuk nguruan të sulmonin rëndë jo vetëm futbollistin, por edhe familjen e tij.
Sophia ndau mesazhe të tmerrshme, që përfshinin kërcënime për jetën e saj dhe të fëmijës së palindur, duke i thënë se ishte e tronditur nga këto reagime dhe duke kërkuar më shumë respekt nga tifozët e futbollit.
Ajo theksoi se nuk ishte e pranueshme që dikush të shkruante diçka kaq të neveritshme dhe u shpreh se shpresonte që ata që kishin dërguar këto mesazhe të ndiheshin të turpëruar për veprimet e tyre.
Në anën tjetër, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, mbrojti lojtarët e tij dhe i dërgoi një mesazh mbështetjeje.
Arteta theksoi se, pavarësisht humbjes, skuadra e tij kishte dhënë gjithçka dhe se meritonte të fitonte.
Ai pranoi se penalltitë janë të paevitueshme dhe mund të shkojnë në çdo drejtim, duke shtuar se është pjesë e futbollit.
Arteta e cilësoi skuadrën të tij si “një grup të shkëlqyer” dhe theksoi se ishte shumë krenar për paraqitjen e tyre, pavarësisht humbjes. /Telegrafi/