Telegrafi

“Kërcënohet Lulzim Basha”, ministri Lleshaj takohet me shoqëruesin e kreut të PD-së

Gardisti Feim Dollapaj, shoqëruesi e kreut të Partisë Demokratike është takuar me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, me pretendimin se Lulzim Basha është kërcënuar.

Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, demokratët i referohen një takimit të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të gardës së Republikës, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas ministrisë së brendshme kreut të opozitës.

Në letër Gazment Bardhi shkruan se Lleshaj ka shkelur çdo procedurë dhe çdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështjeje. Bardhi i kërkon Lleshajt mënyrën se si e mori informacionin për rrezikun që i kanoset Lulzim Bashës , duke dyshuar se takimi me Dollapajn ka qenë për të shantazhuar kreun e PD.

“Duke pasur parasysh rrethanat, kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj, në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi që qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës”, aludon Bardhi. /TCH/