Gareth Bale është i vendosur të bëjë paraqitjen e tij të 100-të me Uellsin, ndërsa agjenti i tij, Jonathan Barnett, shpjegoi se sa i rëndësishme është vendi i tij për lojtarin e Real Madridit.
Tashmë dihet se sa shumë Bale e vlerëson faktin që të luajë për vendin e tij, duke bërë edhe gjëra ekstreme për të përfaqësuar Uellsin, pavarësisht dëmtimeve të ndryshme që e mundojnë në karrierën e tij me klubin.
Barnett kujtoi një histori mes tij dhe Bale kur ai ishte bërë agjenti i tij, ku katër herë fituesi i Ligës së Kampionëve e kërcënoi përfaqësuesin e tij nëse ai do t’i sugjeronte edhe një herë të luante për Anglinë në vend të Uellsit.
“Që nga dita e parë që e takova atë dhe babanë e tij, ai na tha se sa i veçantë ishte Uellsi”.
“Kur folëm me të, ai kishte mundësinë të luante për Anglinë. Ai tha: “Mos e thuaj kurrë më këtë nëse dëshiron të jesh agjenti im!”.
“Ai është një uellsian fanatik”, ka thënë Barnett për media angleze.
Uellsi aktualisht është i treti në Grupin E të kualifikimeve të Kupës së Botës , me pikë të barabarta me Republikën Çeke, por me një ndeshje më pak.
“Nëse ai arrin në Kupën e Botës me Uellsin, mendoj se kjo do të jetë kurorëzimi i tij”, deklaroi Barnett. /Telegrafi/