Site icon Telegrafi

Kërcënimet e ZBASHK-ut

Fillimi i vitit të ri shkollor po gjen ende të paplotësuara kërkesat e Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për mësimdhënësit në Kosovë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media lidhur me vlerësimin e nisjes së vitit të ri shkollor, shprehet i pakënaqur me situatën në arsimin në Kosovë dhe paralajmëron grevë në raste se edhe gjatë muajit shtator nuk do të plotësohen kërkesat e SBASHK-ut – për kontratat kolektive, sigurimin e 70 përqindëshit të udhëtimit për mësimdhënësit, si dhe për tri pagat e para të pensionistëve.

Ai i ka dërguar kërkesë ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami që këtë javë të pritet në takim ku do të dialogohet lidhur me moszbatimin e kërkesave të tyre.

Jasharaj ka kërkuar edhe nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi që të dalë me një përgjigje konkrete lidhur me ligjin e skemës pensionale të mësimdhënësve gjatë viteve 90-99.

“Po ju them që tani se nuk jemi të kënaqur me situatën momentale në arsim, ngase edhe viti i ri shkollor po fillon pa u plotësuar disa nga kërkesat e kontratës kolektive pra nuk kemi lëvizje pozitive, çështja e tri pagave për mësimdhënësit që pensionohen, nuk kemi lëvizje të dukshme rreth sigurimit të 70 për qind të sigurimit, dhe nuk kemi lëvizje të pritura as lidhur me çështjen e kontratës individuale të punës…I kemi dërguar një letër ministrit Bajrami dhe presim që gjatë kësaj jave të takohemi me të dhe të debatojmë për çështje aktuale në arsim…çështje tjetër që ende nuk është definuar është çështja e viteve 90-99, presim nga ministri Abrashi që ta japë një përgjigje konkrete në kërkesat e SBASHK-ut çfarë po ndodh me këto vite”, tha Jasharaj.

SBASHK insiston që në muajin shtator drejtoritë arsimore të lëshojnë kontrata individuale, ngase këto kërkesa po zvarriten. Në të kundërtën kryetari Jasharaj tha se do të ketë grevë edhe përkundër asaj që një gjë të tillë nuk duan as ata vetë dhe as prindërit.

“Nëse shtatori nuk jep rezultate me dialog atëherë këshilli drejtues do të mendojë se çfarë duhet vepruar, cilat veprime sindikale do t’i vëmë në jetë në mënyrë që të mbrojmë kërkesat tona, siç thash ato po zhagiten”, tha Jasharaj.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës bën të ditur se janë duke përcjellë edhe pakot fiskale, në ngritjen e TVSH-së të ministrit të Financave Avdullah Hoti, dhe se do të reagojnë në rast se këto godasin shportën familjare të mësimdhënësve. /Telegrafi/

Exit mobile version