Site icon Telegrafi

Kërcënimet e Veriut, Trump: Do të përballen me zjarr dhe tërbim (Video)

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar menjëherë pas raportit të publikuar nga “Washington Post”, duke kërcënuar se Koreja e Veriut “do të përballet me zjarr dhe tërbim” nëse guxon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara.

Raporti i “Washington Post”, duke cituar zyrtarë amerikanë të inteligjencës, njoftonte se Peniani ka prodhuar tashmë një kokë të vogël bërthamore, mjaftueshëm sa për t’u futur në raketat balistike ndërkontinentale që zotëron vendi i izoluar komunist.

Kjo do të thotë se Koreja e Veriut po zhvillon armë bërthamore të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara, shumë më shpejt nga sa pritej.

Kombet e Bashkuara miratuan së fundi sanksione më të ashpra ekonomike kundër vendit në fjalë. Këshilli i Sigurimit ra dakord me vota unanime të ndalonte eksportet koreano-veriore dhe të kufizonte investimet, duke shkaktuar irritim nga Koreja e Veriut si dhe një angazhim se “do ta bëjë Amerikën të paguajë çmimin”.

Retorika e ashpër mes dy udhëheqësve u intensifikua pasi Peniani testoi dy raketa balistike ndërkontinentale në korrik, duke pretenduar se tashmë i zotëron kapacitetet dhe aftësitë për të goditur Amerikën, transmeton tch.

Trump u tha reporterëve këtë të martë se “Koreja e Veriut më mirë të mos vazhdojë më me kërcënimet ndaj SHBA-ve. Ajo do të përballet me zjarr dhe tërbim, sikurse bota nuk e ka parë kurrë më parë”.

Exit mobile version