Një seri kërcënimesh me bomba janë raportuar në shkolla dhe institucione të tjera qeveritare në Sarajevë, Bosnje Hercegovinë, mëngjesin e së mërkurës; duke detyruar kështu evakuimin e studentëve dhe punonjësve.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës, Mirza Haziabdic, tha se kërcënimet me bombë u dërguan përmes e-mail adresave të disa shkollave përreth qytetit.
Policia ka marrë menjëherë masat e nevojshme, theksoi ai. Për këtë çështje është informuar edhe prokuroria e qytetit të Sarajevës.
Hadziabdic tha se nuk kishte arsye për panik dhe se policia po kryen hetime për rastin.
Më vonë gjatë ditës, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë ndarë përmbajtjen e supozuar të e-mailit që shkolla mori këtë mëngjes.
“Është një bombë në shkollë, dëgjoj zëra në kokë, jam i çmendur, jam përbindësh, do të vras fëmijët, më falni njerëz, në emër të dritës, së ardhmes, amin”, supozohet se shkruhej në shënim. /Telegrafi/