Telegrafi

Kërcen çmimi i naftës në Shqipëri, shkon në 245 lekë [2.07 euro] për litër

Bordi i Transparencës në Shqipëri ka vendosur sot që të rritë ndjeshëm çmimin e naftës pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit.

Bordi e ka çuar çmimin me pakicë të naftës në 245 lekë [2.07 euro] për litër, me një rritje rekord prej 22 lekësh që nga fillimi i funksionimit të tij në mars të këtij viti.

Në vendimin e fundit të datës 1 tetor, nafta ishte ulur në 223 lekë [1.88 euro] për litër.

Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë [1.72 euro] për litër, nga 198 lekë [1.67 euro] që ishte në vendimin e 1 tetorit.

Gazi do të tregtohet me 77 lekë [0.65 euro] për litër, nga 78 lekë [0.66 euro] që ishte deri tani.

Vendimi hyn në fuqi në orën 18.00 të ditës së sotme.

Pak ditë më parë OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi, çka çoi në rritje të shpejtë të naftës në bursa. /Telegrafi/