Viti 2016 pritet të jetë viti më stabil për furnizim me ujë të pijshëm, mirëpo nëse do të ketë shpenzim enorm të ujit, atëherë do të ketë një orar të ri të reduktimeve me qëllim që shpërndarja e ujit të bëhet në mënyrë të barabartë.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha për KosovaPress se sipas informacioneve të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina’, nga 500 njerëz të ndëshkuar për keqpërdorim të ujit të pijshëm, në gjykatë ka arritur vetëm një konsumator që është zënë në flagrancë.
“Me një udhëzim administrativ të Komunës së Prishtinës, gjobat kanë qenë diku 100 euro për persona fizik dhe 300 euro për persona juridik. Shpesh herë këto gjoba inspeksioni i ka shqiptuar, por kemi informacion që nga 500 gjoba sa janë dënuar, në gjykatë ka arrit vetëm një që është zënë në flagrancë duke e keqpërdorur ujin e pijshëm”, ka thënë ajo.
Mjeku thekson se furnizimi me ujë të pijshëm për këtë vit është shumë stabil dhe se gjatë ditës reduktimet pothuajse janë eliminuar. Sipas saj, mungesat eventuale të ujit të pijshëm mund të ndodhin për shkak të punimeve nga ana e Ujësjellësit “Prishtina”, apo në rast të pëlcitjes së ndonjë gypi.