Kyçja ilegale në rrjetin e energjisë elektrike në Kosovë vazhdon të jetë problem i cili po e përcjell sektorin energjetik për shumë vite.
Afër një e treta e energjisë që dërgohet për shpenzim mbetet e pa faturuar për shkak të keqpërdorimeve, kurse barrën financiare për këtë e bartin edhe konsumatorët e rregullt në vend.
Zyra e Rregullatorit të Energjise, ZRrE, që është autoriteti për caktimin e tarifave të energjisë në baza vjetore, sqaron se tarifat caktohen duke marrë për bazë aspektin social, mjedisor, shëndetin, si dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.
ZRrE shqyrton tarifat çdo vit, në mënyrë që të caktohet shuma e parave (Të Hyrat e Lejuara Maksimale– MAR) të cilën kompanitë e rregulluara lejohen ta mbledhin për ofrimin e shërbimit.
“MAR përcaktohet… duke analizuar hollësisht shpenzimet dhe investimet të cilat kompanitë planifikojnë t’i realizojnë përgjatë periudhës rregullative”, kishte sqaruar ZRrE kohë më parë.
Vlerësohet se qytetarët që kyçen ilegalisht në rrjetin energjetik përfitojnë nga sundimi i dobët i ligjit, sepse edhe në rastet kur indentifikohen kyçjet ilegale, ato nuk mund të ndërpriten deri në përfundimin e procesve gjyqësore.
Ka raste kur proceset gjyqësore zgjasin vite të tëra derisa të merret një vendim.
Distriktet më problematike në Kosovë – bazuar në të dhëna të siguruara nga burime brenda sektorit të energjisë – konsiderohet se janë Peja, Prishtina, dhe Gjakova, ku humbjet në rrjet arrijnë deri në 30 për qind.
Kurse, për shkak të rrethanave politike, në pjesën veriore me shumicë serbe, energjia elektrike e shpenzuar nuk faturohet fare.
Niveli aktual i humbjeve në rrjet është gati dyfish më i lartë sesa norma e lejuar nga ZRrE.