Llapi ka pësuar humbjen e radhës, derisa në kuadër të xhiros së dhjetë u mposht në shtëpi nga kampioni në fuqi i Kosovës, Drita me rezultat 2-1.
Përveç rezultatit i cili ishte zhgënjyes, llapjanët mbetën të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së drejtësisë nga treshja e gjyqtarëve.
Tahir Batatina ishte i skualifikuar për këtë takim, derisa Llapin e udhëhoqi ndihmësi i tij Sunaj Keqi.
E pas ndeshjes Keqi ka shpërthyer, duke thënë se Drita erdhi me gjyqtarë me vete në këtë takim.
“Nuk mund të luajmë përballë 14 personave. Drita i pati edhe gjyqtarët me veti. U dëmtuam jashtëzakonisht shumë në këtë ndeshje dhe normalisht se jemi të mllefosur, pasi që po dëmtohemi nga ndeshja në ndeshje”, tha Keqi për Art Motion.
“Kjo se çfarë po i bëhet Llapit është një padrejtësi e madhe, pasi që po dëmtohemi në çdo ndeshje. Organet kompetente duhet të marrin masa”, deklaroi Keqi.
Llapi mbetet në pozitën e parafundit të renditjes tabelare me vetëm pesë pikë të tubuara. /Telegrafi/