Avokatja Saranda Keqekolla ka thënë se proceset gjyqësore për shkurorëzime janë të lodhshme për parashtruesit e kërkesës dhe zgjasin me vite të tëra.
Keqekolla, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë në Kosovë është shumë e vështirë të dëshmohet dhuna psikologjike para organeve përgjegjëse.
“Vetëm nëse ta thyejnë krahun nga rrahja, organet do ta hapin rastin”.
Avokatja ka thënë se në rastet e divorceve personat duhet të jenë mjaft të informuar për të realizuar kërkesat e tyre.
“Gjykata nuk bën hetime të detajuara nëse pala nuk di t’i bëj kërkesat”.
Avokatja ka thënë se është problematike e ardhmja e fëmijëve pas divorcit të çifteve, pasi sipas saj një fëmijë që është mësuar të jetojë mirë do ta ketë të vështirë nëse e ëma që në shumicën e rasteve nuk heq dorë nga ai nuk ka mundësi t’i plotësoj kërkesat dhe nevojat e tij.
“Vjen një kohë kur edhe fëmija blihet me para. Procedurat gjyqësore për zgjidhjen e martesës zgjasin tej mase”.
Avokatja thotë se martesat e shpejta po ndikojnë në rritjen e divorceve. Sipas saj kurorëzimet e shpjeta vetëm sa po i vështirësojnë raportet në çift.
Keqekolla ka thënë se shoqëria duhet t’i trajtojë shkaqet e divorceve dhe problemeve në familje pasi sipas saj kjo punë është sikur plaga “sa më shumë që mbetet pa trajtuar, gjendja e saj përkeqësohet”./Telegrafi/