Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka urdhëruar mbylljen e mega strukturës së mikpritjes së emigrantëve në qytetin e Bolonjës.
Ky është kampi i katërt i madh i emigrantëve që mbyllet në Itali. Motivet janë mbipopullimi e kushtet higjienike mjaft të këqija.
Ministri Salvini ka publikuar imazhe nga ambientet e brendshme të kësaj strukture ku shfaqen dukshëm papastërtia e mungesa e higjienës.
“Si është e mundur”, pyet ministri Salvini, “që predikuesit e mirësisë të impenjuar me pagesë në strehimin e emigrantëve, nuk e kishin vënë re se struktura ishte më shumë një stallë se sa një vend ku mund të strehoheshin gra e fëmijë”.
“Pikërisht”, shton Salvini, “kushtet higjienike, mosgarantimi i mundësive të integrimit, problemet strukturore e mospërputhja mes fondeve publike të garantuara nga shteti e shërbimeve të ofruara, janë motivet e mbylljes së këtij kampi”.
Sipas mediave, përcjell oranews.tv, 157 emigrantët që ishin strehuar në të janë shpërndarë në vende më dinjitoze dhe të përshtatshme.
Zëvendës/kryeministri italian informon gjithashtu se së shpejti do të nisë puna për ristrukturimin e këtij kampi për ta shndërruar në një strukturë ekselente.
“Brenda një kohe të shkurtër”, tha ai, “do të hapin tenderë të rinj publikë, ku kooperativat e interesuara për mikpritjen e emigrantëve mund të aplikojnë me kosto më të ulët”.